Breaking News
Showing posts with label dossier. Show all posts
Showing posts with label dossier. Show all posts

Qetësohu! *(Shkrimi më i lexuar i vitit)

Nga Mero Baze
Mu kujtua një fjalim i Enver Hoxhës në vitin 1982, ndërsa shpalli Mehmet Shehun poliagjent dhe bëri një tablo sinoptike për rreziqet që i kanoseshin socializmit në Shqipëri. Të gjithë mbajnë mend fjalinë e tij të famshme se “ata, puçistët, donin të eliminonin Sekretarin e Parë, d.m.th mua…” (Të të marrin të keqen shoku Enver, dëgjohet një zë nga salla)… duartrokitje dhe plenumi vazhdon.
Është e njëjta sallë në ndërtesën e Komitetit Qendror të PPSh, ku bën mbledhjet e Grupit Parlamentar Partia Demokratike. Në vend të Enver Hoxhës së frikësuar dhe lodhur nga eliminimet brenda llojit, flet Sali Berisha. Ajo figurantja nga salla, që thotë “të të marrin të keqen…”, është Mesila, pasi atë ka zgjedhur Berisha për të komunikuar në makthet e tij.
30 vjet më vonë, në të njëjtën sallë, Shqipëria ka fatin e keq të ketë në krye të vendit një të sëmurë mendor, që rron me makthet e puçeve dhe tradhtive. Nuk besoj se e kishte aq shumë me Bamir Topin, Spartak Ngjelën dhe mua, se sa me ata që kishte përpara, atë tufë të padenjë delesh, të cilëve ishte duke u thënë të mos u shkonte në mendje ta tradhtonin.
Por pavarësisht kësaj, meqë po ma përmend për herë të dytë emrin në skemat e puçeve që i dalin në ëndërr, dua ta qetësoj për makthet e puçit dhe ta paralajmëroj se ka dhe më keq se puçi…
Ma përmende për herë të parë emrin më 21 Janar. Isha përballë dritares tënde së bashku me disa kolegë gazetarë, por jo me të gjithë ata që ti quajte puçistë. Ishim në punën tonë dhe as na shkonte mendja se tek dritarja përballë ku ti shfryje dhe ulërije të qëllonin në katin e katërt të lokalit të Fidelit se aty ishte ‘shtabi’. Aty nuk kish asnjë deputet socialist. Edi Rama as që e kaloi Urën e Lanës dhe socialistët e tjerë ishin në bulevard. Unë isha aty, si gazetar i thjeshtë, biles si reporter. Rrotull meje veç disa kolegëve të mi të njohur, kishte reporterë të rinj, që as emrat nuk ua di, të cilëve mund t’u kishe rrezikuar jetën nga urrejtja për mua. Dështove të na trembje, dhe me keq akoma dështove të gënjeje mbi masakrën që ne pamë me sytë tanë. Kamera e kolegut tonë, që ishte krah meje, Artan Hoxhës, arriti të filmojë plumbat e banditëve të tu mbi qytetarët e pafajshëm. Vrave në sytë e mi Aleks Nikën, Ziver Viezin, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedën, nga makthi se tek dritarja përballë teje po bëhej një puç.
Le tetë fëmijë jetimë, afërsisht sa nipa e mbesa ke vetë, me gjithë ato që të kanë sjellë me vete. Meqë e paske me mua, po të them që ata tetë fëmijë, që le jetimë nga frika e karriges, kanë për të qenë ferri i nipave dhe mbesave të tua, nëse në këtë vend nuk vendoset drejtësia. Unë do të jem në anën e tyre derisa gjaku i prindërve të tyre të lahet me drejtësi. Ti burracak që vret pas dritaresh të blinduara do të kesh një fund më të tmerrshëm seç e përfytyron. Ti mendon se fundi i botës është “puçi”.
Jo, fundi për ty do të jetë më keq. Ti do të shikosh me sytë e tu ç’është drejtësia dhe do të tmerrohesh nga ballafaqimi me krimet e tua. Ty nuk të vrasim, as të përmbysim. Ty do të mundim dhe do të dënojmë. Në mos mjaftoftë për këtë një mandat apo dy, do të mjaftojë jeta e brezit im. Në mos mjaftoftë ajo, do të mjaftojë mosha e fëmijëve të Ziverit, vajzave të Aleksit, djalit të Faikut dhe fëmijëve të Hekuranit, që s’do të të lënë të qetë ty dhe pasardhësit e tu, përfshi këtu Lulëzim Bashën. Ke për ta parë me sy këtë tmerr. Puçi nuk është asgjë.
Përpara se të më klasifikoje si puçist më 21 Janar, nuk le gjë pa bërë. Bodigardi yt, shoferi i gruas dhe tët biri, qëndroi për dy ditë rresht para shtëpisë sime deri në mesnatën që makina ime u dogj në sytë e fëmijëve të mi. Ja thashë zëvendësministrit tënd atë emër, ndërsa një ditë më parë ia kisha dhënë dhe prokurorisë. Është i njëjti emër që u shfaq në shtëpinë e Hekuran Dedës për të blerë gjakun me lek. Nuk kam punë me të, por me tët bir. Tronditjen e tim biri, që pa me sy si ia digjnin makinën për të hakmarrë ndaj babit, nuk ia fal sa të jem gjallë. Por dhe më tej ka të tjerë që nuk ia falin. Ai fantazmë gjobëvënës, që shëtit me çantë në dorë derë më derë, do të provojë atë që kanë provuar viktimat e tij për shkak të pushtetit të babait të tij.
Një javë më pas nuk u mjaftove me kaq, por rrethove me policë kundër vendimit të gjykatës shtypshkronjën dhe redaksinë e gazetës me arsyetimin se të duhej objekti. Kanë kaluar katër vjet dhe aty mban të bllokuar gjithë investimet tashmë të shkatërruara. Nuk të duhet për asgjë ai objekt pasi është prapë bosh dhe sot e kësaj dite. Nuk të duhej gazeta Tema dhe unë aty. Ke shkaktuar një dëm qindra mijëra euro, por gazetën nuk e ke mbyllur dot dhe as mua nuk më zhduk dot nga pasqyra e shtypit. Për fatin tënd të keq dhe Familjes tende, ajo është sot gazeta më e lexuar e hapësirës shqiptare në gjithë botën. Gruaja jote merr vet pronarët e televizioneve të mos lexojnë gazetën Tema çdo mëngjes dhe është bërë objekt barsoletash, pasi gjithë pronarët i binden frikës së saj, por nga ana tjetër më tregojnë dhe panikun e saj nga gazeta dhe kjo më mjafton. Nuk ta fal as financiarisht, as politikisht dhe as moralisht atë sulm të ndyrë familjar.
Më pas ke bërë gjëra dhe më perverse. U ke çuar prindërve të mi fadromat para shtëpisë së tyre, një shtëpi e ndërtuar me leje në truallin e tyre. Ke prishur nga themelet shtëpinë e motrës sime, një shtëpi e ndërtuar me të njëjtin standard leje si komshinjtë e saj, të cilëve nuk ua ke prishur. Ke hequr nga puna çdokënd që është dhe nuk është miku im, mjafton që dikush ta ketë lidhur me mua. Ti sot flet për Enver Hoxhën, por unë nuk di që Enver Hoxha t’i ketë bërë më shumë se kaq  ndokujt që e ka konsideruar armik. I internonte apo hiqte nga puna, por fadromat nuk ua çonte tek shtëpia. Ti i ke bërë të gjitha këto dhe tani je shumë i çuditur që me ke sërish përballë.
Je thjesht një plak i mjerë dhe i çmendur për fatkeqësinë e këtij vendi, që do të kesh një fund të keq. Do kujdesem personalisht mos të të gjejë gjë, as të të vrasin apo të heqin qafe, por të rrosh e të shikosh si duhet bërë shteti ligjor dhe drejtësia në këtë vend. Të përballesh me krimet e tua, me të varët e tu dhe me makthet e tua.
Nuk le gjë pa shpikur për të justifikuar armiqësinë tënde dhe sulme e tua të ndyra. Por nuk të ngjit asgjë. Nuk të ngjit pasi ti e di të vërtetën çfarë tërboi Familjen tënd edhe ty. Edhe pse qysh nga viti 2005 marrëdhëniet tona ishin të ngrira, tërbimin tuaj ndaj meje e zgjoi biznesi i djalit tuaj ne Gërdec. Është e thjeshtë se ta kam thënë në sy dhe po ta them publikisht: Yt bir hyri kokë e këmbë në biznesin vdekjeprurës të Gërdecit dhe angazhoi aty rrethin e tij kriminal. Ministrat e tu më ankoheshin mua të të thosha ty nëse di gjë Doktori që Shkëlzeni po merret me armë në Gërdec. E di që i ke problem dëshmitarët dhe përpiqesh t’i nisesh për gjah,  por unë jam dëshmitar që yt bir ishte pronari real i asaj ndërmarrje vdekjeprurëse. Punësoi aty burrin e tezes së tij, baxhanakun tënd, që unë e kisha komshi në një pallat, punësoi aty njerëzit e rrethit të tij shoqëror, atë rreth banal që ka ai dhe pastaj i hipi qejfi dhe mori nën kontroll dhe biznesin e dytë, atë të paketimit të armëve kineze drejt Afganistanit. Ti sot je në pushtet me dhunë dhe arrite t’i mbyllësh çështjet një nga një si 26 varret e viktimave. Por siç e shikon, varret po shtohen dhe ato nuk mund të jenë gjithmonë nga e njëjta anë. Kije mirë parasysh këtë meqë bën sikur beson në Zot ti dhe yt bir.
Po ta bëj këtë retrospektivë për të treguar se makthi yt i vazhdueshëm i puçit prej meje, Bamir Topit, Spartak Ngjelës apo kujtdo tjetër, nuk ka të bëjë me ne, por me modelin tënd për partnerët dhe bashkëpunëtorët. Ne e pranojmë se kemi qenë bashkëpunëtorë dinjitozë me ty. Meqë na i përmende të treve emrat, të tre nuk i kemi ngjarë në raportet me ty as njëri- tjetrit dhe asnjërit preje deleve që ke aty në vathë.
Unë kam qenë gazetar që kam mbështetur opozitën dhe të kam ndihmuar të dalësh nga bataku ku fute vendin dhe veten pas vitit 1997. Besoj të kujtohet kur të kam gjetur në zyrë me 2 të natës, me dritë të fikur nga frika, me gruan që nuk e dije ku e kishe, me fëmijët që të ishin arratisur në Itali dhe me Genc Pollon në paradhomë që tallej me frikën tënde. Besoj e mban mend kur më ke ngelur në dorë më 1 të natës, natën që Edi Rama u bë për herë të parë kryetar bashkie në Tiranë dhe m’u desh të thërrisja tët bir të të jepte “ilaçin” që të mban Liria në sirtar për tu ngjallur. Nëse nuk të kujtohen të gjitha, mund të t’i kujtoj dhe nuk jam aspak i penduar, që kam ndihmuar të ringrihet në këmbë një opozitë, e cila në atë rrugë që ish nisur mund të dëmtonte të ardhmen e vendit pasi mund të rivendoste një monizëm të ri të ish- komunistëve të ringjallur. Shqipëria u balancua falë ngritjes së opozitës, e cila i mbijetoi jo vetëm pushtetit, por dhe veglave të fëlliqura të tij si Genc Pollo, Genc Ruli, Arben Imami, dhe një shoqërie civile agresive kundër saj, në krye të së cilës shquheshin Mesilërat, Aldorat, Bogdanërat dhe gjithë konsomolasit e rinj, që atëherë Edi Rama i përdorte për t’u argëtuar kundër teje. Nuk kam asnjë pendesë pse të kam ndihmuar të mbijetosh në opozitë, pasi i kam shërbyer bindjes sime se në këtë vend pa kulture opozitare, duhet të triumfojë demokracia dhe jo hegjemonia e një partie.
Të njëjtën gjë jam i lumtur që po e bëj përsëri. Kam pasur shumë zgjedhje përveç kësaj. Ashtu si Fahri Balliu mund të isha bërë ortak me tët bir në Gërdec dhe pastaj ti me Jozefinën do thoshit që Tema është gazetë që mbron interesin kombëtar, (nënkupto Familjen), por për fat s’e kam bërë. Mund të heshtja dhe të mos pajtohesha me pushtetin tënd dhe të shikoja punët e mia. Mund të përfundoja dhe me keq, sahanlëpirës si Frangaj apo Fevziu, që më zgjonin që më 7 çdo ditë në vitin 2005 për tu takuar me ty meqë erdhe në pushtet, por i kam ikur me vetëdije atij fati. Zgjodha të qëndroj përballë si zgjedhje personale. Dhe ty të shqetëson pikërisht kjo gjë. Ti mund të pajtohesh dhe të armiqësohesh me Edi Ramën se jeni në politikë. Nuk kam punë me betejën tuaj. Unë kam betejën time me ty dhe të siguroj që të gjallë nuk më mund dot. Vdekja është diçka që nuk e llogaris se nuk më hyn në punë.
Të njëjtin makth ke dhe për Bamir Topin dhe Spartak Ngjelën. Me makthin e njerëzve që kanë betejën e tyre personale me ty. Të shqetëson shumë aleanca e mundshme e këtyre betejave me opozitën. Qetësohu. Nuk jetojmë për të marrë hak ndaj teje. Jetojmë jetën tonë. Nuk merremi gjithë ditën me ty. Kemi pjesën tjetër të jetës të mbushur me plot pasione dhe ndodhi. Fiksimi jot si njeri i çmendur pas idesë që ne merremi me ty gjithë ditën, është thjesht një shenjë se je çmendur dhe duhet të vizitohesh për tu shëruar. Ne nuk të vrasim. Ne nuk të rrëzojmë. Nuk të përmbysim. Nuk jemi si ty. Do të mundim dhe të do të dënojmë. Kësaj nuk i shpëton dot. Qetësohu!
Read more ...

Merret peng 23-vjeçari , ngacmoi bashkëshorten e bashkëfshatarit

FIER - Dy vëllezër nga Fieri kanë përfunduar në pranga, pasi kanë marrë peng për 4 orë një 23-vjeçar dhe e kanë keqtrajtuar atë fizikisht. Bëhet fjalë për Marjus dhe Ervin Lilo, përkatësisht 26 dhe 30 vjeç, nga fshatin Zhupan i këtij rrethi. Mësohet se ngjarja ka marrë shkas, pasi i riu S.Troka kishte ngacmuar gruan e njërit prej autorëve të krimit.
Burime zyrtare nga policia e Fierit bëjnë me dije se 23-vjeçari Troka kishte disa ditë që ngacmonte 26-vjeçaren A.L. (bashkëshorten e Marjus Lilës) nëpërmjet telefonit të saj celular. Ai i dërgonte gruas së bashkëfshatarit të tij SMS dhe e merrte në telefon. E ndodhur para një fakti të tillë, 26- vjeçarja i ka treguar të shoqit. Ky i fundit së bashku me vëllain e tij kanë vendosur që t’i japin një “mësim” 23-vjeçarit.
Rreth orës 18:00 të së hënës, S.Troka ishte duke ecur në rrugën e fshatit dhe po kthehej në banesën e tij, kur është përballur me dy vëllezërit Lilo. Sipas hetuesve të çështjes, dy vëllezërit e kanë hipur bashkëfshatarin me forcë në automjetin me të cilin po udhëtonin dhe më pas e kanë dërguar në banesën e tyre.
Për rreth katër orë, pengu është dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht, dhe më pas është lënë i lirë. Pas denoncimit të viktimës, policia ka arrestuar dy vëllezërit. Ndërkohë, është vënë nën hetim dhe Troka, pasi akuzohet për “Keqpërdorim të thirrjeve telefonike”.
Read more ...

Grabitjet në autostradë, rrëfehet në polici 21-vjeçari

MIRDITE -Nëse nuk do të zbuloheshim nga ana e policisë, do vijonim grabitjet gjatë gjithë muajit gusht, pasi tani pritej edhe fluks më i madh i kosovarëve”. Kështu ka deklaruar ndërsa është marrë në pyetje 21-vjeçari Ardit Maxhuni, i cili akuzohet për dy grabitje të ndodhura në autostradën Rrëshen-Kalimash, e fundit mëngjesin e së shtunës. Maxhuni ka rrëfyer para bluve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë të gjithë planin që së bashku me bashkëpunëtorin e tij, 21-vjeçarin Anton Nikolli i cili është shpallur në kërkim, bënin para grabitjeve. Ndërkaq, burime zyrtare nga Policia, pohojnë se gëzhojat e gjetura në vendin e grabitjes dy ditë më parë në Reps të Mirditës dhe arma e cila i është kapur grabitësit Ardit Maxhuni do i nënshtrohen ekspertizës balistike në Tiranë. Kjo, pasi dyshohet që të njëjtët persona të jenë autorë edhe të grabitjes dhe plagosjes së 5 personave, mes tyre, 2 fëmijë në Qafë-Qelë në Pukë, më 14 korrik.
Arma dhe gëzhojat do t’i nënshtrohen ekspertizës, për të provuar edhe autorësinë e disa vjedhjeve të tjera që dyshohet të jenë kryer nga ana e Ardit Maxhinit dhe Anton Nikollit. Në orët e para të së shtunës, 2 kosovarë, F.Ahmeti, 51 vjeç dhe O.Cakiqi, 55 vjeç u grabitën me armë në autostradën Rrëshen-Kalimash. Pas denoncimit të dy kosovarëve, forcat e policisë prangosën si autor 21-vjeçarin Ardit Maxhuni nga Fushë-Arrëzi, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij Anton Nikolli.
Read more ...

Ish-shoqëruesi i Fatos Nanos, vret bashkëshorten dhe më pas veten

Burri ekzekuton gruan me 3 plumba, vetëvritet. Policia: Shkak dyshohet sherri për pamundësinë për t’i siguruar një bursë vajzës për studime jashtë vendi
-Tirana tronditet sërish. Zënka për kushte ekonomike është kthyer në shkakun e krimit të djeshëm në një familje ku kryefamiljari ekzekuton gruan dhe veten. Krimi në familje ka të njëjtën formë, të njëjtën pamje, të njëjtat viktima si ato që nuk reshtën së trondituri këto kohë në vendin tonë. Një burrë vret bashkëshorten e tij dhe më pas me të njëjtën armë i jep fund edhe jetës së tij. Ishin prindër të një vajzë dhe të një djali, ndërsa viktima autor mësohet se përveçse ka qenë një person jo pak i njohur, prej kohësh ishte i papunë dhe se ishte pushtuar nga vesi i alkoolit. Dyshimet e forta bien pikërisht mbi këtë shkak që ka çuar në masakrën e djeshme në rrugën “Irfan Tomini”, ndërsa bashkëshortja e saj disa herë kishte kërkuar mbrojtjen e autoriteteve. Dy javë më parë ka mbërritur në shtëpinë e tyre policia. Ishte pranuar mes tyre se nuk do të ziheshin më. Çifti kishin nisur vetëm për pak ditë jetën normale të tyre për ti dhënë fund dje me një akt kriminal të burrit. Vrasja e djeshme e bashkëshortëve është rasti i tretë vetëm brenda pak kohës kur bashkëshortët pasi vrasin gratë e tyre kryejnë edhe vetëvrasje. Gruaja kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, por më pas ishte tërhequr. Policia kishte marrë pjesë disa herë në sherret në familje, por bashkëshortët kanë vendosur të pajtohen. Fqinjët i njohin për njerëz të nder- shëm e që shikonin hallin e vet, por ngjar- dosjen e ushtarëve të tij. ja e djeshme ka tronditur jo vetëm ata.
Ngjarja në “Irfan Tomini”
Krimi i rëndë brenda familjes ku burri vrau gruan dhe më pas veten ka ndodhur mesditën e djeshme. Policia dyshon se ngjarja ka pasur si motiv vështirësitë ekonomike të familjes, ndërsa të afërmit e viktimave bëjnë të ditur se çifti kishte probleme të vazhdueshme për shkak të xhelozisë. Ngjarja e rëndë u shënua rrugën ‘Irfan Tomini’. Policia bën të ditur se viktimë e dorës së burrit ka mbetur Dallëndyshe Jazxhi e moshës 50 vjeç, ndërsa autor është identifikuar bashkëshorti i saj, shtetasi Edmir Jazxhi, 51 vjeç. Sipas policisë autori ka vrarë fillimit gruan dhe më pas i ka dhënë fund jetës. Nga të dhënat e para tha se krimi është kryer me pistoletë dhe brenda banesës së çiftit. Në vendngjarja u bë e ditur se autori i krimit të dyfishtë, Edmir Jazxhi punonte herë pas herë si shofer kamioni, por jo me një punë të rregullt, ndërsa bashkëshortja e papunë, por nganjëherë dilte dhe shiste ndonjë rrobë te tregu. Çifti ka dy fëmijë, të cilët nuk ndodheshin në banesë në momentet e krimit. Personi i parë që ka parë skenën e krimit ka qenë djali i vetëm i familjes dhe më pas është njoftuar dhe vajza.
Rrëfimi i kunatës së gruas viktimë
Është bashkëshortja e vëllait të viktimës Dallëndyshe Jazxhiut, që duket se i ka dhënë tjetër dimension, duke e konsideruar vrasjen për shkak të xhelozisë që burri kishte për gruan. Gruaja tregon se kunata e saj kishte probleme të vazhdueshme me bashkëshortin, pasi ai konsumonte alkool dhe ishte tepër xheloz. E tronditur nga ngjarja, Myrset Fejzo ka rrëfyer për policinë se Dallëndyshja u kishte treguar familjarëve të saj për problemet me Edmirin, por ata e kishin këshilluar të mos kërkonte divorcin, për të mos u shkaktuar tronditje fëmijëve. Kunata e viktimës ka konfirmuar gjithashtu se çifti kishte probleme të mëdha ekonomike dhe Dallëndyshja nuk punonte pasi Edmiri ishte tepër xheloz dhe nuk donte që ajo të kërkonte punë.
Pistat e hetimit
Policia hedh dyshimet e para mbi motivet që mund të kenë shtyrë burrin deri në vendimin ekstrem. Nga të dhënat e para në vendngjarje policia hedh dyshimet se krimi ka ndodhur për arsye ekonomike. Familja po përballej kohëve të fundit me vështirësi ekonomike dhe shkak i grindjes së djeshme dhe më të fundit të çiftit, Jazxhi ka qenë një bursë për studime jashtë vendit që vajza e tyre kishte fituar. Policia thekson se familja nuk dispononte shumën e parave që vajzës i nevojiteshin për të ndjekur studimet e larta. Sipas policisë, grindja ka pasur këtë arsye duke degjeneruar më pas deri në përdorimin e armës nga ana e Edmir Jazxhit, që fillimisht ka qëlluar me plumba bashkëshorten dhe më pas veten. Nuk përjashtohen as motive të tjera, por policia po heton mbi çdo pistë të mundshme që mund të hedhë dritë mbi krimin e dyfishtë.
Familja
Bashkëshortët ishin me origjinë nga Korça dhe prej disa kohësh familja jetonte në kryeqytet. Ata rezultonin të martuar dhe kishin 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë, e cila se fundmi kishte fituar një bursë për studime jashtë vendit. Burimet nga policia në vendin e ngjarjes treguan se Edmir Jazxhi, 51 vjeç, në vitet 2002-2004 ka punuar si shoqërues i kryeministrit të atëhershëm të vendit, Fatos Nano. Më pas ia ka punuar me maune si transportues mallrash brenda dhe jashtë vendit. Kjo punë kryhej dhe tani nga autori-viktimë, por jo me kohë të plotë. Ndërsa bashkëshortja, Dallëndyshja rezultonte e papunë, por fqinjët kanë treguar ditën e djeshme ajo punonte në një treg rrobash të përdorura.
Read more ...

Berat, i merr pasagjerë në makinë, çifti plagos taksistin 54-vjeçar

BERAT- Një ngjarje e paza kontë që gati i ka marrë jetën një shoferi ka ndodhur në Berat. Një 54-vjeçar është goditur tri herë me thikë, nga një çift bashkëshortësh ende të paidentifikuar nga policia. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat, bëjnë me dije se Refit Shalsi, 54 vjeç, nga fshati Bradashesh i Elbasanit, është plagosur me thikë ndërsa udhëtonte me një autobot karburanti për në Berat. Shalsi ishte i punësuar pranë një firme private dhe kryente rrugën Vlorë – Urë- Vajgurore dhe në fshatin Levan të Fierit, ka marrë në automjetin e tij një çift bashkëshortësh që donin të shkonin në Berat.
Në afërsi të fshatit Polizhan të komunës Poshnje, për shkak të rrugës gruaja është ndjerë keq dhe ka zbritur nga makina. Për t’i ardhur në ndihmë, 54-vjeçari i ka hedhur ujë gruas dhe ka nisur t’i bëjë masazh në pjesën e qafës. Gjesti ka acaruar së tepërmi bashkëshortin e saj, i cili ka filluar të debatojë me shoferin dhe më pas e ka qëlluar me thikë në krah dhe shpatull. Më pas dy bashkëshortët janë larguar në brendësi të fshatit, ndërsa banorët kanë lajmëruar policinë, e cila ka shpallur në kërkim autorët.
NGJARJA
Refit Shalsi, i punësuar pranë një firme private karburantesh, ishte nisur të hënën nga Vlora në drejtim të Urës-Vajgurore në Berat. Ndërsa ka qenë duke kaluar në rrugën nacionale, në fshatin Levan të Fierit, një burrë i shoqëruar nga gruaja e tij i ka kërkuar t’i merrte deri në Berat si pasagjerë, ku kishin destinacionin e tyre. 54-vjeçari i ka hipur në autobotin e tij me targa AA 723 EC dhe kanë vazhduar rrugën në drejtim të Beratit. Pikërisht në fshatin Polizhan të komunës Poshnje, gruaja nuk është ndjerë mirë dhe ka zbritur nga mjeti. 54-vjeçari i ka hedhur ujë dhe ka nisur t’i bëjë masazh gruas, por ky gjest ka ngjallur nervozizëm tek bashkëshorti i saj, i cili është konfliktuar me shoferin. Sherri ka degjeneruar në dhunë fizike dhe burri që ishte pasagjer në autobot e ka goditur me thikë në shpatull e krah drejtuesin e mjetit. Më pas burrë e grua i kanë marrë 54-vjeçarit edhe telefonin e tij celular tip Nokia, me qëllim që ai të mos kishte mundësi të njoftonte policinë. I gjakosur e i plagosur, shoferi ka tërhequr vëmendjen e banorëve, të cilët kanë lajmëruar policinë. Pasi ka kryer të gjitha veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, policia ka nisur procedimin penal për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Vjedhje”, ndërsa po punon për kapjen e dy bashkëshortëve.
Read more ...

Luftëtarët shqiptarë në Siri kthehen në atdhe të vdekur

Dhjetëra shqiptarë iu bashkuan kryengritësve sirianë, duke dhënë jetën në luftën ndaj regjimit të presidentit Bashar al-Assad, thekson agjencia franceze AFP në një reportazh të saj, duke pohuar se shumë shqiptarë kthehen në shtëpi në qese najloni. Sipas agjencisë, familjarët e dinë se ata u janë bashkuar kryengritësve në luftën siriane.
Që nga muaji nëntor shqiptarja Migena Maliqaj nuk ka dëgjuar asgjë nga i burri i saj, Halili. Asokohe, ai i tha se do të largohej nga shtëpia e tij, në Prush të Tiranës, për të gjetur punë në Turqi.
Në qershor ajo mori një mesazh nga një numër i panjohur telefonik, përmes të cilit u njoftua se Halili ishte vrarë në Siri. Maliqaj nuk pranoi të fliste për AFP-në.
Nëna e Ermal Xhelos dëgjoi për shkuarjen e djalit të saj në Siri vetëm kur trupi i 35-vjeçarit u kthye në qytetin e lindjes, në Vlorë. Edhe ai i kishte thënë se po shkonte të punonte në Turqi , thekson AFP në reportazh.
Sipas agjencisë franceze, ‘luftëtarët e xhihadit’ po vërshojnë drejt Sirisë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova.
“Nëse Rusia, Irani dhe Hezbollahu nuk hezitojnë të mbrojnë presidentin Assad dhe regjimin e tij, që vret njerëz, madje edhe fëmijë, pse duhet të hezitojmë ne që t’i ndihmojmë sirianët”, citon AFP fjalët e një 40-vjeçari nga Podujeva, i cili po bëhej gati të nisej drejt Sirisë.
Read more ...

Sherr me grushta mes policëve, oficeri: Më tradhtuan, më lanë vetëm gjatë aksionit

Sherr me grushta mes policëve - Tre punonjës të Stacionit të Policisë së Vorës u përfshinë në një incident për shkak të kontrollit ndaj një makine, e cila dyshohej se lëvizte me një sasi droge. Shkak i sherrit mes policëve ka qenë vonesa e grupit të gatshëm që u thirr nga oficeri i krimeve për të shkuar në ndjekje të makinës së dyshuar. Incidenti ndodhi në afërsi të Vorës, kur oficeri Përparim Myftari është vënë në ndjekje të një makine të dyshimtë, ku ndodheshin tre djem dhe dy vajza dhe kërkoi prezencën e grupit të gatshëm pasi nuk mund të vepronte dot i vetëm. Pavarësisht kërkesës së tij, është dashur së paku një orë që furgoni i policisë të shkonte në vendin ku ndodhej oficeri Myftari. Ngjarja është zhvilluar rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe ka pasur dyshime se mes policëve të Vorës, Përparim Myftarit dhe dy të tjerëve të mbërritur me furgon, Ramë Ymeri dhe Daut Mara, ka pasur edhe një konfrontim fizik. Burime nga Policia e Tiranës thanë se Myftari është shoqëruar mëngjesin e djeshëm dhe është marrë në pyetje nga oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pasi ndaj tij ishte bërë një denoncim për dhunë fizike nga njëri prej punonjësve të Policisë.
Në momentin e fundit është tërhequr denoncimi nga ana e policëve Ymeri e Mara dhe oficeri i krimeve është lënë i lirë. Megjithatë, ngjarja nuk ka kaluar pa asnjë ndëshkim, pasi Myftari është pezulluar nga puna pa ndonjë afat të përcaktuar. Nga ana tjetër, SHKB ka nisur hetim për sqarimin e incidentit, duke përfshirë edhe neglizhencën e dy punonjësve për të shkuar në vendin e ngjarjes. Rasti pritet që të shqyrtohet të hënën edhe nga komisioni i disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
INCIDENTI
Oficeri i Policisë së Vorës, Përparim Myftari, ka qenë i gatshëm mbrëmjen e së premtes dhe përgjatë orëve të para të së shtunës. Në kohën që ndodhej në automjetin e tij, ai ka parë një makinë të dyshimtë, brenda së cilës ndodheshin 3 djem e 2 vajza, dhe u ka bërë shenjë për të ndaluar, pasi sjellja e tyre ishte e shfrenuar dhe, veç të tjerash, kishte informacione se mund të kishin lëndë narkotike. Pasi i ka bërë shenjë për të ndaluar dhe makina ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Tiranës, ai ka lajmëruar në Stacionin e Policisë së Vorës dhe ka kërkuar përforcime. Madje ka kaluar edhe te Stacioni i Policisë, kur policët e turnit i kishte zënë gjumi.
Ndërkohë ka vazhduar ndjekjen e automjetit të dyshimtë i vetëm, në pritje të mbërritjes së grupit të gatshem që sipas burimeve, ka vonuar një orë për të mbërritur në vendngjarje, pasi Myftari e kishte ndaluar i vetëm automjetin. Në momentin kur dy policët kanë ndaluar te makina që po verifikohej, Myftari i ka kërkuar llogari se përse ishin vonuar aq shumë.
Madje dyshohet se mes tyre ka pasur edhe përleshje fizike, pasi njëri prej policëve ka ngritur dorën, duke tentuar të godasë oficerin e krimeve, të cilit i është përgjigjur se nuk kishte asnjë arsye për t’i dhënë llogari. Burimet thanë se në kundërpërgjigje të këtij veprimi, edhe Myftari ka reaguar, megjithatë, ai vetë ka mohuar në Polici së është konfrontuar me kolegët.
Read more ...

U Arratis Nga Burgu I Trikalas, Policia Greke: Ilir Kupa Ka Hyrë Në Shqipëri

GREQI – Policia greke bën të ditur se i arratisuri nga burgu i Trikalas, Ilir Kupa ka hyrë në territorin shqiptar. Autoritetet shqiptare nuk kanë të dhëna për kalimin e tij në Shqipëri, ndërsa pala greke konfirmon se ai tashmë e ka kaluar kufirin.
Mësohet se Ilir Kupa nuk ka asnjë çështje të hapur në Shqipëri, por është shpallur në kërkim nga Interpoli. Sipas policisë greke, dyshohet se në territorin shqiptar kanë hyrë edhe dy të arratisur të tjerë.
Rreth një javë më parë, policia greke ka gjetur shenjat e gishtërinjve të Ilir Kupës në një shtëpi në Kerasohori, në Greqi, 500 metra larg kufirit me Shqipërinë. Sipas të dhënave, pasi ka thyer derën e shtëpisë ai ka ndezur furnelën me gaz për të gatuar ndonjë ushqim, ka pirë ujë, ka hapur disa konserva, ka përdorur një ngjitës ndoshta për të dyfishuar krëhërin e fishekëve dhe është larguar sërish.
Autoritetet mendojnë se Ilir Kupa ka patur bashkëpunëtorë në gjithë këtë ndërmarrje të tij të ditëve të fundit. Një zyrtar i policisë ka thënë për median greke se “Ilir Kupa nuk mund të ketë mbërritur vetëm në Kerasohori. Është e pamundur për t’i bërë këto lëvizje vetëm”. Sipas burimeve, janë barinjtë shqiptarë që punojnë ligjërisht në zonë, të cilët e ndihmojnë Ilir Kupën të zhvendoset pa u diktuar.
Sic thuhet, Ilir Kupa është i armatosur dhe përbën rrezik si për veten ashtu edhe për forcat e policisë, ndaj këto të fundit kanë vendosur të qëndrojnë të fshehur për të mos u bërë objekt sulmi.
Ndërkaq vazhdojnë përpjekjet e ambasadorit tonë në Greqi për të negociuar dorëzimin e Ilir Kupës, por deri tani të afërmit e tij, me të cilët është kontaktuar, nuk kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim në dorëzimin e 27-vjecarit.
Mbrëmjen e 22 marsit nga burgu i Trikalas u arratisën 11 shqiptarë, pasi plagosën 2 roje burgu. Tre prej tyre u kapën që atë natë, ndërsa për 8 të tjerët vazhdoi ndjekja policore.
Nga 8 të arratisurit, 3 prej tyre u vranë nga policia greke, konkretisht, Marian Kola, Ermir dhe Flamur Lika.
Ermal Lita është arrestuar pas një grabitjeje supermarketi në Peristeri, Fatos Sulaj mendohet se është larguar në drejtim të Kosovës, Flaulent Luli mendohet se ndodhet ende në territorin grek, ndërsa nuk dihet ku ndodhen të arratisurit e tjerë, Admir Murataj dhe Klement Cala.

Jepinese e Lexove Lajmin.


Read more ...
Designed By