Dhjetëra shqiptarë iu bashkuan kryengritësve sirianë, duke dhënë
jetën në luftën ndaj regjimit të presidentit Bashar al-Assad, thekson
agjencia franceze AFP në një reportazh të saj, duke pohuar se shumë
shqiptarë kthehen në shtëpi në qese najloni. Sipas agjencisë, familjarët
e dinë se ata u janë bashkuar kryengritësve në luftën siriane.
Që nga muaji nëntor shqiptarja Migena Maliqaj nuk ka dëgjuar asgjë
nga i burri i saj, Halili. Asokohe, ai i tha se do të largohej nga
shtëpia e tij, në Prush të Tiranës, për të gjetur punë në Turqi.
Në qershor ajo mori një mesazh nga një numër i panjohur telefonik,
përmes të cilit u njoftua se Halili ishte vrarë në Siri. Maliqaj nuk
pranoi të fliste për AFP-në.
Nëna e Ermal Xhelos dëgjoi për shkuarjen e djalit të saj në Siri
vetëm kur trupi i 35-vjeçarit u kthye në qytetin e lindjes, në Vlorë.
Edhe ai i kishte thënë se po shkonte të punonte në Turqi , thekson AFP
në reportazh.
Sipas agjencisë franceze, ‘luftëtarët e xhihadit’ po vërshojnë drejt Sirisë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova.
“Nëse Rusia, Irani dhe Hezbollahu nuk hezitojnë të mbrojnë
presidentin Assad dhe regjimin e tij, që vret njerëz, madje edhe fëmijë,
pse duhet të hezitojmë ne që t’i ndihmojmë sirianët”, citon AFP fjalët e
një 40-vjeçari nga Podujeva, i cili po bëhej gati të nisej drejt
Sirisë.