Sherr me grushta mes policëve - Tre punonjës të
Stacionit të Policisë së Vorës u përfshinë në një incident për shkak të
kontrollit ndaj një makine, e cila dyshohej se lëvizte me një sasi
droge. Shkak i sherrit mes policëve ka qenë vonesa e grupit të gatshëm
që u thirr nga oficeri i krimeve për të shkuar në ndjekje të makinës së
dyshuar. Incidenti ndodhi në afërsi të Vorës, kur oficeri Përparim
Myftari është vënë në ndjekje të një makine të dyshimtë, ku ndodheshin
tre djem dhe dy vajza dhe kërkoi prezencën e grupit të gatshëm pasi nuk
mund të vepronte dot i vetëm. Pavarësisht kërkesës së tij, është dashur
së paku një orë që furgoni i policisë të shkonte në vendin ku ndodhej
oficeri Myftari.
Ngjarja është zhvilluar rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe ka pasur
dyshime se mes policëve të Vorës, Përparim Myftarit dhe dy të tjerëve të
mbërritur me furgon, Ramë Ymeri dhe Daut Mara, ka pasur edhe një
konfrontim fizik. Burime nga Policia e Tiranës thanë se Myftari është
shoqëruar mëngjesin e djeshëm dhe është marrë në pyetje nga oficerët e
Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pasi ndaj tij ishte bërë një
denoncim për dhunë fizike nga njëri prej punonjësve të Policisë.
Në momentin e fundit është tërhequr denoncimi nga ana e policëve
Ymeri e Mara dhe oficeri i krimeve është lënë i lirë. Megjithatë,
ngjarja nuk ka kaluar pa asnjë ndëshkim, pasi Myftari është pezulluar
nga puna pa ndonjë afat të përcaktuar. Nga ana tjetër, SHKB ka nisur
hetim për sqarimin e incidentit, duke përfshirë edhe neglizhencën e dy
punonjësve për të shkuar në vendin e ngjarjes. Rasti pritet që të
shqyrtohet të hënën edhe nga komisioni i disiplinës në Drejtorinë e
Përgjithshme të Policisë.
INCIDENTI
Oficeri i Policisë së Vorës, Përparim Myftari, ka qenë i
gatshëm mbrëmjen e së premtes dhe përgjatë orëve të para të së shtunës.
Në kohën që ndodhej në automjetin e tij, ai ka parë një makinë të
dyshimtë, brenda së cilës ndodheshin 3 djem e 2 vajza, dhe u ka bërë
shenjë për të ndaluar, pasi sjellja e tyre ishte e shfrenuar dhe, veç të
tjerash, kishte informacione se mund të kishin lëndë narkotike. Pasi i
ka bërë shenjë për të ndaluar dhe makina ka vazhduar lëvizjen në drejtim
të Tiranës, ai ka lajmëruar në Stacionin e Policisë së Vorës dhe ka
kërkuar përforcime. Madje ka kaluar edhe te Stacioni i Policisë, kur
policët e turnit i kishte zënë gjumi.
Ndërkohë ka vazhduar ndjekjen e automjetit të dyshimtë i vetëm, në
pritje të mbërritjes së grupit të gatshem që sipas burimeve, ka vonuar
një orë për të mbërritur në vendngjarje, pasi Myftari e kishte ndaluar i
vetëm automjetin. Në momentin kur dy policët kanë ndaluar te makina që
po verifikohej, Myftari i ka kërkuar llogari se përse ishin vonuar aq
shumë.
Madje dyshohet se mes tyre ka pasur edhe përleshje fizike, pasi njëri
prej policëve ka ngritur dorën, duke tentuar të godasë oficerin e
krimeve, të cilit i është përgjigjur se nuk kishte asnjë arsye për t’i
dhënë llogari. Burimet thanë se në kundërpërgjigje të këtij veprimi,
edhe Myftari ka reaguar, megjithatë, ai vetë ka mohuar në Polici së
është konfrontuar me kolegët.