FIER - Dy vëllezër nga Fieri kanë përfunduar në
pranga, pasi kanë marrë peng për 4 orë një 23-vjeçar dhe e kanë
keqtrajtuar atë fizikisht. Bëhet fjalë për Marjus dhe Ervin Lilo,
përkatësisht 26 dhe 30 vjeç, nga fshatin Zhupan i këtij rrethi. Mësohet
se ngjarja ka marrë shkas, pasi i riu S.Troka kishte ngacmuar gruan e
njërit prej autorëve të krimit.
Burime zyrtare nga policia e Fierit bëjnë me dije se 23-vjeçari Troka
kishte disa ditë që ngacmonte 26-vjeçaren A.L. (bashkëshorten e Marjus
Lilës) nëpërmjet telefonit të saj celular. Ai i dërgonte gruas së
bashkëfshatarit të tij SMS dhe e merrte në telefon. E ndodhur para një
fakti të tillë, 26- vjeçarja i ka treguar të shoqit. Ky i fundit së
bashku me vëllain e tij kanë vendosur që t’i japin një “mësim”
23-vjeçarit.
Rreth orës 18:00 të së hënës, S.Troka ishte duke ecur në rrugën e
fshatit dhe po kthehej në banesën e tij, kur është përballur me dy
vëllezërit Lilo. Sipas hetuesve të çështjes, dy vëllezërit e kanë hipur
bashkëfshatarin me forcë në automjetin me të cilin po udhëtonin dhe më
pas e kanë dërguar në banesën e tyre.
Për rreth katër orë, pengu është dhunuar psikologjikisht dhe
fizikisht, dhe më pas është lënë i lirë. Pas denoncimit të viktimës,
policia ka arrestuar dy vëllezërit. Ndërkohë, është vënë nën hetim dhe
Troka, pasi akuzohet për “Keqpërdorim të thirrjeve telefonike”.