MIRDITE -Nëse nuk do të zbuloheshim nga ana e
policisë, do vijonim grabitjet gjatë gjithë muajit gusht, pasi tani
pritej edhe fluks më i madh i kosovarëve”. Kështu ka deklaruar ndërsa
është marrë në pyetje 21-vjeçari Ardit Maxhuni, i cili akuzohet për dy
grabitje të ndodhura në autostradën Rrëshen-Kalimash, e fundit mëngjesin
e së shtunës. Maxhuni ka rrëfyer para bluve të Drejtorisë së Policisë
së Qarkut Lezhë të gjithë planin që së bashku me bashkëpunëtorin e tij,
21-vjeçarin Anton Nikolli i cili është shpallur në kërkim, bënin para
grabitjeve. Ndërkaq, burime zyrtare nga Policia, pohojnë se gëzhojat e
gjetura në vendin e grabitjes dy ditë më parë në Reps të Mirditës dhe
arma e cila i është kapur grabitësit Ardit Maxhuni do i nënshtrohen
ekspertizës balistike në Tiranë. Kjo, pasi dyshohet që të njëjtët
persona të jenë autorë edhe të grabitjes dhe plagosjes së 5 personave,
mes tyre, 2 fëmijë në Qafë-Qelë në Pukë, më 14 korrik.
Arma dhe gëzhojat do t’i nënshtrohen ekspertizës, për të provuar edhe
autorësinë e disa vjedhjeve të tjera që dyshohet të jenë kryer nga ana e
Ardit Maxhinit dhe Anton Nikollit. Në orët e para të së shtunës, 2
kosovarë, F.Ahmeti, 51 vjeç dhe O.Cakiqi, 55 vjeç u grabitën me armë në
autostradën Rrëshen-Kalimash. Pas denoncimit të dy kosovarëve, forcat e
policisë prangosën si autor 21-vjeçarin Ardit Maxhuni nga Fushë-Arrëzi,
ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij Anton Nikolli.