Dy monumente të rëndësishme të luginës së Drinosit, siç është teatri
antik i Adrianopolit dhe Teqeja e Melanit, kanë kaluar nën administrimin
e zyrës së Parkut Arkeologjik të Antigonesë.
Sipas drejtorit të Parkut të Antigonesë, Ëngjëllush Serjani, ndërhyrja e
parë është bërë për të eliminuar vegjetacionin në teatrin e
Adrianopolit, i cili ndodhet vetëm 14 km në jug të Gjirokastrës.
Teatri i iAdrinopolit është ndërtuar nga perandori Adrian dhe është një
monument ku për 6 vjet rresht kryhen gërmime arkeologjike nga një grup
arkeologësh italo – shqiptarë. Falë këtyre gërmimeve është rritur
ndjeshëm edhe sipërfaqja e vizitueshme e këtij teatri që deri tani ka
qënë një monument prej të cilit nuk merreshin të ardhura nga vizitorët
ndërkohë që pas vendosjes nën administrim nga zyra e parkut të
Antigonesë ai do të vendoset në efiçencë financiare pasi është një nga
monumentet e trashëgimisë nga më të kërkuarit në luginën e Drinosit.
Teatri është ndërtuar në shekullin e dytë pas Krishtit dhe ka një kapacitet prej 4 000 vendesh.