Klaudio Marchisio i shfaq besnikëri Juventusit. Mesfushori 27-vjeçar e pranoi se kishte biseduar me administratorin e deleguar Bepe Marota për të sqaruar situatën e tij, por në asnjë rast nuk ka kërkuar një trajtim të veçantë nga klubi, ku është rritur si futbollist. “Kam biseduar me Marotën, sepse m’u duk e drejtë të analizoja situatën e krijuar. Doja të sqaroja gjithçka me klubin. Gjithsesi, kurrë nuk kam menduar se duhet të kem një trajtim të veçantë vetëm nga fakti që jam rritur te Juventusi. Përkundrazi, jam unë ai që duhet ta shikoj me prioritet bluzën e Juventusit, të cilën e kam dashur që kur isha fëmijë”, ka thënë ai. Për të hequr çdo dyshim, mesfushori i kombëtares italiane shprehet se dëshiron ta mbyllë karrierën te Juventus. “Çdo verë flitet për largimin tim nga Juventusi. Më vjen mirë që emri im lidhet me skuadrat të mëdha, por ëndrra ime është ta mbyll karrierën këtu, por e kam të qartë që në futboll mund të ndodhë gjithçka. Nuk do të isha futbollisti I parë që largohet nga skuadra ku është rritur”, ka përfunduar Marchisio.