Zbardhet vrasja e 54 vjecarit në fshatin Merci të Lezhës, një ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Policia e Lezhës konfirmon se 54 vjecari Preng Doda është vrarë aksidentalisht nga djali i tij, 23 vjeçari Edmond Doda. Ky i fundit ka rrëfyer ngjarjen në polici. Bëhet e ditur se babë e bir ndodheshin në stan, ku kanë dëgjuar zhurmë dhe kanë konstatuar mungesën e një bagëtie. Të dy kanë dalë nga stani të armatosur të pozicionuar në dy kënde të ndryshme, ndërsa në një moment kanë shkrepur armët. Sipas policisë, plumbat e kallashnikovit që mbahej nga 23-vjecari kanë kapur aksidentalisht babain e tij, për shkak të errësirës. Mësohet se 54-vjecari ka ndërruar jetë në vendngjarje, si pasojë e plagëve të marra. Dëshmitarët deklarojnë se ishte e disata herë që kryheshin grabitje në këtë familje. Fillimisht u deklarua se 54-vjecari ishte vrarë nga grabitësit, por dëshmia në polici e djalit të tij, ka ndryshuar gjithë rrjedhën e ngjarjeve. Ende nuk është identifikuar asnjë prej grabitësve që mundën të vidhnin në stan.