GJIROKASTER - Në kohën kur kriza ekonomike ka krijuar numrin më të lartë të papunësisë së shënuar në vite, duket se punësimi nuk është luks për fshatin e njohur si bastioni i drogës, Lazarati. Çdo ditë qindra punëtorë dynden me furgona drejt këtij fshati, që u ofron atyre një rrogë të majme, që në fakt nuk mund ta sigurosh në asnjë lloj pune apo biznesi tjetër në këtë zonë.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga “News 24”, punonjësit dalin që në orët e para të mëngjesit dhe i drejtohen Lazaratit, kundrejt një pagese që arrin 2500 deri në 3000 lekë të reja në ditë. Një shifër kjo tejet e favorshme për ekonominë aktuale në familjet e tyre. Tashmë Lazarati është bërë i njohur edhe për qytete të tjera të qarkut të Gjirokastrës, si objekt i fitimit të shumave të konsiderueshme.