Kjo është vera e parë që ata kalojnë pranë njëri-tjetrit, ndaj dhe kanë menduar ta shijojnë në maksimum. Finalisti i “Big Brother 6”, Ilir Beqiri, dhe e dashura e tij, Anisa, pas disa pushimeve pa plazh në disa vende të Europës, kanë menduar të marrin rreze në jug të Shqipërisë.
Kemi mundur të gjejmë këto foto të bëra në Borsh, ku ata pushuan për disa ditë dhe ku kanë çuditur plazhistët me sjelljet e tyre të dashurisë, pa e vrarë mendjen se po vëzhgoheshin nga të tjerët. Duket se në këtë pikë janë të dy njësoj, pasi kudo ku janë, ata ia shprehin dashurinë njëri-tjetrit pa asnjë problem, duke shkëmbyer puthje e përkëdhelje në çdo moment, qoftë edhe në publik.

Për sa u përket ofertave për punë, Iliri thotë se ka marrë një propozim konkret nga një kompani e madhe celulare, por që nuk e pranoi pasi, përveç pozicionit të punës që i ka pëlqyer, ishte i disfavorshëm pozicioni gjeografik, pra duhet të jetonte larg Tiranës. Ndërkohë që tani për tani ka marrë një ofertë që i pëlqen edhe më shumë, përderisa është i interesuar për botën e spektaklit.
E kishte shprehur dhe më parë, që e shihte veten si prezantues të një spektakli bukurie, dhe i është ofruar pikërisht një gjë e tillë, për të moderuar spektaklin “Miss Bikini” , që do të organizohet së shpejti në Vlorë. Iliri pohon se: “’Miss Bikini’ është një event i vogël bukurie, që më është kërkuar ta moderoj unë. Është ende një spektakël në organizim e sipër, që mund ta organizojmë si tur të veçantë edhe në disa plazhe të Jugut”, tha Iliri.