Breaking News

Fotot me helikopter nga italianët: Vetëm në Lazarat janë mbjellë 4.5 miliardë euro drogë

Denoncimi i zyrtarit të Guardia Di Finanzia në konferencë me Burgaj: Janë 304 plantacione.
Një zyrtar i lartë i Guardia di Finanza-s italiane deklaroi dje në Tiranë se zona e Lazaratit vazhdon të ketë një potencial “të frikshëm” në kultivimin e lëndës narkotike.  Komandanti i repartit të aviacionit të Guardia di Finanza- s italiane, Stefano Bastoni, theksoi dje se gjatë monitorimit nga ajri edhe këtë vit në Lazarat janë identifikuar 319 hektarë tokë të mbjella më Cannabis sativa. “Është identifikuar në mënyrë tejet të detajuar ajo që nga qielli duket si një sipërfaqe e vetme prodhimi, zona e Lazaratit, e cila e vetme ka 319 hektarë terren të kultivuar me Cannabis sativa, e barabartë me po kaq fusha futbolli, që prodhojnë afërsisht 900 tonë produkt të përfunduar, të cilët të hedhur në tregun europian me një çmim prej 5 eurosh grami, do të vlente 4.5 miliardë euro”, tha zyrtari italian.
Ai bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë shqiptare, Hysni Burgaj, bënë publike rezultatet e fazës së parë të monitorimit dhe goditjes së zonave që kultivojnë kanabis në vend. Duke folur në lidhje me monitorimin e kryer nga avionët italianë për llogari të Policisë shqiptare, kreu i Forcave Ajrore të Guardia di Finanza-s tha se janë të paktën 304 plantacione të lokalizuara në zonat e Gjirokastrës, Vlorës, Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës. Shifrat janë rezultat i një misioni dymujor fluturimi të avionëve italianë në gjithë Shqipërinë, me qëllim monitorimin e zonave problematike në kultivimin e drogës. “Përmes të dhënave të marra në dy muaj në 25 misione fluturimi, janë monitoruar 3618 kilometra katrorë sipërfaqe, e barabartë me afër 12.5 për qind të sipërfaqes së Shqipërisë. Përpunimi i të dhënave ka bërë të mundur identifikimin me një saktësi maksimale të 304 plantacioneve, të cilat prodhojnë afërsisht 4.5 tonë produkt final”, tha zyrtari i Guardia di Finanza- s.
Mësohet se imazhet e marra nga ajri janë kryqëzuar e ballafaquar edhe me të dhënat e një sateliti të huaj që ka monitoruar Shqipërinë muajt e fundit. 
BURGAJ
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare, Hysni Burgaj, gjatë prezantimit të djeshëm theksoi se këtë vit është vërejtur një rritje e lehtë e sipërfaqeve të mbjella me kanabis. “Nga përpunimi i të dhënave të përfituara nga fotografimet dhe filmimet ajrore, është bërë i mundur identifikimi i parcelave të mbjella me bimë narkotike Cannabis sativa në të gjithë territorin e vendit. Zonat e identifikuara si më problematike gjatë këtij viti ka rezultuar të jenë qarqet Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Tiranë dhe Durrës”, theksoi Burgaj. Ai bëri me dije se nga analiza e bërë rezulton se kemi të bëjmë kryesisht me sipërfaqe të vogla të kultivuara larg zonave të banimit, dhe kryesisht në zona të thella malore. “Sa u përket autorëve, mund të themi se ashtu si vitet e mëparshme, në shumë raste autorët janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre dhe e kanë zhvilluar këtë aktivitet kriminal në zona të tjera, duke shfrytëzuar lidhjet shoqërore e miqësore të tyre”, u shpreh kreu i Policisë shqiptare, Hysni Burgaj. Ai theksoi se operacionet e ndërhyrjes në plantacione do të vazhdojnë në të gjithë territorin e vendit. Sipas Burgajt, pjesa më e madhe e marijuanës është arritur të kapet përpara se të kalojë kufirin, duke përmendur shifrat e vitit të kaluar, ku llogaritet të jenë sekuestruar mbi 21 tonë. tr.so
Aliko: S’kam thënë që s’ka drogë, unë nuk bëhem spiun
TIRANE – Kryetari i komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, nuk ka dashur të komentojë dje deklaratat e bëra në Tiranë nga kreu i Policisë shqiptare dhe zyrtari i Guardia di Finanza- s. Kreu i komunës së Lazaratit u pyet nga gazeta “Panorama” nëse kishte ndonjë koment në lidhje me deklaratat e bëra nga zyrtarët e rendit në lidhje me drogën që kultivohet në territorin e komunës së drejtuar prej tij. Në bisedën që u zhvillua dje në orën 18:22, Aliko theksoi se “nuk kam ndonjë masë për të matur parcelat që thonë ata, pyetini më mirë autorët e deklaratave”. Kryekomunari i Lazaratit e ndërpreu komunikimin dhe pas këmbënguljes për të marrë sërish një opinion prej tij, Aliko u pyet në lidhje
me ligjin që detyron kryetarët e komunave që të raportojnë çdo rast
kultivimi të drogës kur ata kanë dijeni. Në komunikimin e dytë me gazetën, Aliko theksoi: “Nuk kam thënë ndonjëherë që nuk ka drogë të mbjellë në Lazarat, nuk e keni dëgjuar nga unë këtë”. Sa i përket ligjit që detyron pushtetarët lokalë për të denoncuar kultivimin e drogës, Aliko theksoi se është i vendosur për t’i zbatuar ligjet, por nuk bëhet spiun. “Unë e kam deklaruar që në vitin 2004, dhe ju e dini, unë spiun nuk bëhem, respektoj ligjet, por nuk bëhem spiun”, theksoi kreu i komunës së Lazaratit. tr.so
Designed By